Dializa peritoneale ndodh brenda trupit pa qenë e nevojshme që gjaku të qarkullojë përmes një makine, dhe zakonisht mund të bëhet në shtëpi.
Ne do t’ju ofrojmë një trajnim të plotë, zakonisht mbi një javë, për t’ju treguar se si të lidheni me makinën apo të shkëputeni prej saj, si të kryeni këmbimin e lëngjeve dhe si të identifikoni çdo problem dhe si ta zgjidhni atë. Në momentin që ndjeheni të gatshëm ta kryeni dializën në shtëpi, do të programojmë transportin e rregullt të të gjitha pajisjeve të nevojshme.
DP: procesi
Të paktën dy javë para nisjes së DP-së, do të duhet të vini në klinikë për të bërë vendosjen e kateterit përmes murit abdominal në kavitetin abdominal. Kjo procedurë kryhet nga një kirurg ose nefrolog nën efektin e anestezisë së përgjithshme ose lokale. Kateteri qëndron në vendin tij për një kohë të gjatë dhe një pjesë e vogël e tij del jashtë lëkure për t'u lidhur me qeset nga të cilat do të kryhet infuzioni dhe largimi i lëngut. Do t’ju shpjegohet si ta mbani pastër vendin e vendosjes së kateterit pasi kjo është jetike për të shmangur infeksionet.
Në çdo cikël trajtimi, kateterin do ta përdorni për të kryer infuzionin e solucionit steril të dializës në abdomen. Lëngu do të qëndrojë atje për 4-12 orë dhe këtë proces do t’ju duhet ta përsërisni 3-5 herë çdo ditë, një proces ky që quhet dializa peritoneale e vazhdueshme ambulatore (DPVA), ose mund të kryhet gjatë natës me ndihmën e një makine, një proces që quhet dializa peritoneale e automatizuar (DPA).
Arsyeja përse uji largohet në këtë mënyrë nga gjaku juaj është sepse lëngu i dializës ka një përqendrim të lartë të glukozës, dhe kjo e nxjerr ujin jashtë gjakut tuaj përmes membranës suaj peritoneale. Ky proces quhet “ultrafiltrim”. Pas këtij procesi, kur zbrazet lëngu, me vete merr edhe tepricat dhe ujin e tepërt që ndodhen në trupin tuaj.
Cili është ndryshimi ndërmjet DPVA-së dhe DPA-së?
Si DPVA-ja ashtu dhe DPA-ja mund të kryhen në shtëpi, apo në cilindo vend që ju zgjidhni. Në klinikë duhet të shkoni vetëm për vendosjen fillestare të kateterit peritoneal dhe për kontrolle në rast se nuk do të keni shqetësime për të cilat ju nevojitet ndihma jonë.
DPVA-ja përfshin 3-5 këmbime të lëngjeve çdo ditë, ndërsa trajtimi i DPA-së mund të kryhet gjatë natës. Një avantazh i DPVA-së është se mund të ndihmojë në ruajtjen e çdo funksioni të mbetur të veshkës më mirë se sa DPA-ja.
Në DPVA, përmes kateterit kryhet infuzioni i rreth dy litrave solucion të dializës. Pas 4-12 orësh ("koha e qëndrimit"), ky lëng, që përmban substancat e tepërta dhe ujin e tepërt, zbrazet dhe hidhet dhe në abdomenin tuaj bëhet infuzioni i solucionit të ri steril. Ky “këmbim” përdor kryesisht gravitetin dhe kërkon 20-40 minuta, 3-5 herë në ditë. Në të gjitha rastet mund të lëvizni si normalisht, duke pasur mundësi të punoni, studioni, ushtroheni apo udhëtoni.
DPA-ja ndjek të njëjtin parim bazë si DPVA-ja, por këmbimet ndodhin teksa ju flini, me ndihmën e makinës “cycler”. Ky mund të jetë avantazh pasi ju lejon ta keni ditën të lirë. Zakonisht mund t’ju duhen rreth 10 ditë për të mësuar se si ta përdorni këtë makinë.
Makina “cycler” mat sasinë e lëngut që nevojitet për çdo këmbim dhe kronometron me kujdes dhe në mënyrë automatike shpërndarjen, qëndrimin, dhe zbrazjen, duke larguar tepricat e metabolizmit dhe ujin e tepërt nga trupi juaj gjatë 8-10 orëve. Pak para se të shkëputeni nga makina në mëngjes, mund të bëni infuzionin e një “mbushjeje të fundit” të solucionit i cili qëndron në kavitetin e abdomenit tuaj gjatë ditës, që mund të ketë nevojën e një këmbimi tjetër shtesë para dializës së natës.
Aparati i DPA-së ka masën e një valixheje të vogël me rrota dhe është lehtësisht i transportueshëm. Makina është projektuar për t’u përshtatur me modelet tuaja normale të gjumit dhe mundëson ndërprerjen e trajtimit nëse keni nevojë të ngriheni nga krevati gjatë natës.
Makinat më të reja të DPA-së kanë karta të dhënash të programueshme që përmbajnë detajet e trajtimit të përcaktuar dhe që mund të ruajnë të dhëna nga çdo seancë dialize. Diaverum aktualisht ua ofron këtë shërbim pacientëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani.
Sikurse në rastin e DPVA-së, nevojitet që në shtëpi të keni hapësirë për mbajtjen e aparatit dhe pajisjeve të DPA-së.