Jeta juaj e përditshme dhe disa shqetësime të zakonshme

Diagnoza juaj nuk mund të ndryshohet, por ka shumë gjëra që mund të bëni për t’iu përshtatur trajtimit dhe për të jetuar sa më normalisht të jetë e mundur. Përgjatë këtij rrugëtimi, mund të jetë në dobinë tuaj të flisni rreth mënyrës se si ndiheni dhe rreth ndonjë pasigurie apo frike. Ekipi i kujdesit shëndetësor pranë Diaverum mund të luajë një rol të rëndësishëm për t’ju ndihmuar të përshtateni me dializën dhe mundësisht të planifikoni edhe transplantin e veshkës.

Trajtimi synon t’ju mundësojë një jetesë sa më normale të jetë e mundur, duke e konsideruar dializën si një shqetësim të nevojshëm por duke mos e lejuar atë të pushtojë jetën tuaj. Por, gjithashtu ne e dimë se ndryshimet e pashmangshme që vijnë së bashku me SRK-në mund të jenë të vështira për t’u pranuar dhe për t’u përballuar, dhe se mund ta keni të vështirë të diskutoni rreth ndjenjave tuaja. Megjithatë, mundohuni të mos i mbani gjërat brenda vetes.

Stafi i klinikës sonë ka shumë përvojë dhe janë të pakta situatat që ata mund të mos i kenë hasur më parë. Ndajini shqetësimet tuaja me një prej pjesëtarëve të ekipit të kujdesit shëndetësor në klinikë, pasi kështu, duke marrë shumë informacion, shpresojmë që t’i kuptoni gjërat më lehtë. Gjithashtu, në trajtimin tuaj mund të bëhen disa ndryshime të vogla, për të ndryshuar edhe përvojën dhe pikëpamjen tuaj.

living-with-ckd-old-lady-16_9.jpg

Problemet e zakonshme që përjetojnë pacientët në dializë

Ankthi: ankthi mund të ketë një ndikim të madh në jetën tuaj të përditshme. Mund të ndiheni në ankth sepse do të vini për të bërë dializën, sepse nuk mund të parashikoni të ardhmen apo sepse po humbisni kontrollin. Simptomat fizike mund të përfshijnë rrahjet e shpejta të zemrës gjatë trajtimit të dializës.

Pagjumësia: pagjumësia mund të ndodhë për shumë arsye, më shpesh nga ankthi. Gjithashtu, mund të ndodhë edhe për shkak të zakoneve të këqija para gjumit dhe mënyrat e pashëndetshme të të jetuarit siç është mungesa e ushtrimeve.

Depresioni: depresioni mund të shfaqë shkallë të ndryshme rëndese dhe të ndikojë në jetën tuaj në shumë mënyra të ndryshme. Ai përbëhet nga një grup simptomash ku përfshihen rënia e vazhdueshme e humorit, mungesa e interesit ndaj aktiviteteve, ndryshime të zakoneve të gjumit dhe të oreksit, mungesë përqendrimi dhe lodhje.

Probleme të lidhura me seksin: Shumë pacientë të dializës përjetojnë rënie të dëshirës seksuale. Kjo mund të shfaqet si efekt anësor i insuficiencës së veshkës ose mund të lidhet me ndryshimet në imazhin e trupit tuaj, me depresionin apo me ankthin.


Kurrë mos hezitoni të bisedoni me ne për çështje të tilla apo edhe për probleme të tjera që mund të keni pasi ne do t’ju ndihmojmë kurdoherë. Si hap i parë drejt përmirësimit të shëndetit tuaj gjatë dializës, ju ofrojmë këshillat e mëposhtme sa i përket: kontrollit të ushqimit dhe pijeve që konsumoni, menaxhimit të mjekimit tuaj, të jetuarit të një jete aktive dhe bisedave me të tjerët dhe kërkimit të ndihmës prej tyre.

Kontrolli i ushqimit që konsumoni

Nuk ka një dietë të vetme që të jetë më e mira gjatë gjithë kohës për të gjithë pacientët me SRK, ndaj duam t’ju nxisim të kërkoni këshilla nga ekipi i klinikës suaj. Mund të ndjeni lodhje dhe të keni rënie të oreksit, por është e rëndësishme të vazhdoni të hani ushqime të përshtatshme dhe të ndiqni një dietë përgjithësisht të shëndetshme. Gjithashtu, duhen ndjekur disa këshilla specifike sa iu përket disa llojeve specifike të ushqimeve:

nutrition hero

Proteinat ndihmojnë në ruajtjen e muskulaturës dhe riparimin e indeve. Është e rëndësishme që të konsumohen proteina të cilësisë së lartë si ato që gjenden te mishi, peshku, shpendët dhe vezët. Konsumimi i vlerave ushqyese të mira do t’ju ndihmojë të qëndroni përgjithësisht të shëndetshëm dhe të luftoni infeksionet.

Fosfori është një mineral që gjendet në shumë lloje ushqimesh, dhe gjatë periudhës së dializës duhet të keni kujdes të mos e konsumoni në sasi të tepërta. Ushqime të tilla si qumështi dhe djathi, bishtajoret e thata, fara luledielli, pijet e gazuara, arroret dhe gjalpi i kikirikut përmbajnë shumë fosfor. Rritja e tepërt e niveleve në gjak mund të shkaktojë grumbullimin e kalciumit në indet dhe organet tuaja, në një proces që quhet kalcifikim. Fosfori mund t’ju shkaktojë irritim të lëkurës dhe mund të ndikojë në enët tuaja të gjakut.

Disa pacientë dialize kanë nevojë të marrin një medikament që quhet lidhës i fosfatit për të parandaluar kalimin fosfatit dietik në gjak.

Kaliumi është një mineral që gjendet pothuajse në të gjitha llojet e ushqimeve, veçanërisht në disa fruta dhe perime. Veshkat e shëndetshme ruajnë sasinë e duhur të kaliumit në gjak, por kjo mund të mos ndodhë në personat me SRK: nivelet e kaliumit në gjak mund të variojnë dhe mund të rriten ndërmjet seancave të dializës. Nivelet e larta të kaliumit mund të ndikojnë në rrahjet e zemrës dhe është shumë e rëndësishme të ndiqen këshillat që ju jepen se si mund të kontrollohet sa më mirë sasia e kaliumit që merrni. Ushqimet që përmbajnë sasi të larta të kaliumit përfshijnë kajsitë, bananet, frutat e thata, lëngun e frutave, pjeprin, arroret, lëngun e kumbullave, rrushin e thatë, lëngun dhe salcën e domates, artiçokën, avokadot, bishtajoret e thata, lëngun e karotës, patatet e pjekura, çokollatën, mjaltin, qumështin, patatet e skuqura, thjerrëzat dhe spinaqin.

Sodiumi (Kripa) gjendet natyralisht në shumicën e ushqimeve dhe përdoret gjithashtu edhe për të shtuar shijen. Sasia e tepërt e kripës në dietën tuaj mund t’ju shkaktojë etje dhe të çojë drejt akumulimit të lëngjeve. Ndaj, është e rëndësishme që sasia e kripës që konsumoni të mbahet nën kontroll.

Kontrolli i pijeve që konsumoni  

Nëse jeni në dializë, është shumë e rëndësishme të kontrolloni sasinë e pijeve që konsumoni, veçanërisht nëse nuk prodhoni urinë. Pacientët e hemodializës zakonisht duhet të tregojnë më shumë kujdes në menaxhimin e sasisë së lëngjeve që marrin krahasuar me pacientët në dializë peritoneale.  

Mbajtja nën kontroll e etjes  

Mënyra më e mirë për të reduktuar sasinë e lëngjeve të marra është reduktimi i etjes, dhe këtë mund ta arrini pjesërisht duke kontrolluar sasinë e kripës që konsumoni. Pacientët në dializë duhet të synojnë të konsumojnë sa gjysma e sasisë së kripës që konsumojnë personat e tjerë.  

Shumica e ushqimeve të konservuara dhe të gatshme apo të ngrira përmbajnë sasi të mëdha kripe, si për shembull patatinat. Mundohuni t’i shmangni këto produkte, ose të përdorni produkte me nivele të ulëta të sodiumit, dhe mos u shtoni kripë ushqimeve kur gatuani apo kur hani.  

Mbani nën kontroll sasinë e lëngjeve që merrni  

Çdo ushqim i lëngshëm në temperaturë ambienti përmban ujë, dhe konsumimi i cilitdo ushqim të këtij lloji shton sasinë e lëngjeve që merrni. Ushqime të tilla përfshijnë supën, qumështin, kosin, peltet dhe akulloren. Shumë fruta dhe perime përmbajnë gjithashtu shumë ujë, veçanërisht pjepri, shalqiri, rrushi, mollët, portokajtë, domatet, marulet dhe selinoja. Përveç kufizimit të sasisë së këtyre ushqimeve, nivelet e lëngjeve mund t’i mbani të ulëta duke pirë nga filxhanë apo gota më të vogla.  

Menaxhimi i niveleve të lëngjeve kur jeni në hemodializë  

Lëngjet mund të grumbullohen në trupin tuaj ndërmjet seancave të hemodializës, duke shkaktuar ënjtje dhe shtim në peshë. Lëngu i tepërt mund të ndikojë në presionin e gjakut dhe mund të bëjë që zemra të punojë më fort. Duhet të synoni një shtim peshe maksimumi 4% të peshës së thatë të përcaktuar ndërmjet trajtimeve (shikoni në paragrafin e mëposhtëm).  

Pesha e thatë është pesha juaj trupore pa lëngjet e tepërta. Zakonisht është pesha më e ulët e toleruar pa shkaktuar presion të ulët të gjakut. Udhëzimi që të kryeni dializë do të përcaktojë edhe sasinë e lëngut që duhet hequr gjatë trajtimit për të arritur peshën e thatë që duhet. Zakonisht, pesha e thatë që përcaktohet është pak më e ulët se sa pesha e një personi të shëndetshëm pa lëngje të tepërta.  

Nëse ndërmjet seancave grumbullohet një sasi e tepërt e lëngjeve (sepse ju konsumoni tepër lëngje apo ushqime që përmbajnë sasi të larta uji) do të jetë më e vështirë që nëpërmjet seancës së dializës të mund të arrihet pesha e thatë që ju është përcaktuar. Kjo rrit rreziqet për efekte anësore të dializës, si presion i ulët i gjakut apo ngërç. Pesha juaj e thatë mund të ndryshojë me kalimin e kohës nëse pesha muskulore ndryshon. 

Menaxhimi i niveleve të lëngjeve kur jeni në dializë peritoneale   

Sasia e lëngjeve të marra nuk është aq e kufizuar për personat në dializë peritoneale se sa për pacientët në hemodializë, por prapë është e rëndësishme të tregohet kujdes për ndonjë shenjë të mbajtjes së lëngjeve, të tilla si ënjtja dhe shtimi në peshë.  

Menaxhimi i mjekimit tuaj

Shumë nga barnat që mund t’ju nevojiten kur filloni dializën mund të jenë të njëjtat me ato që keni marrë para fillimit të trajtimit. Disa ilaçe do të duhet të përshtaten, dhe do të kërkohet edhe mbikëqyrje mjekësore. Barnat më të zakonshme që marrin pacientët e dializës janë:  
 

ESA (Agjentët Stimulues të Eritropoetinës) 
Veshkat janë burimi kryesor i një hormoni të quajtur eritropoetina (EPO), që stimulon prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut. Tek pacinetët me SRK nivelet e këtij hormoni mund të reduktohen dhe kjo mund të shkaktojë uljen e prodhimit të rruazave të kuqe të gjakut, që nga ana tjetër sjell anemi. Agjentët stimulues të Eritropoetinës (ESA), që stimulojnë prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut mund të jepen në formë intravenoze.  

Hekuri  
Hekuri nevojitet për prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut dhe të hemoglobinës, që bën mbartjen e oksigjenit në trupin tuaj. Mund t’ju nevojiten suplemente hekuri të cilat do t’ju jepen në formë intravenoze.  

Vitamina D  
Vitamina D aktivizohet pjesërisht nga veshkat, dhe te pacientët me SRK mund të ketë rënie të prodhimit të saj. Vitamina D shërben për përthithjen e kalciumit nga dieta ushqimore dhe për kocka të shëndetshme. Mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë sëmundje të kockave që shfaqet me dhimbje dhe dobësim të kockave. Vitamina D aktive mund të jepet në formë orale ose intravenoze. 

Lidhësit e fosfateve  
Fosfatet vijnë nga ushqimet dhe zakonisht sekretohen nga veshkat. Tek pacientët me SRK fosfatet mund të grumbullohen në trup pasi veshka nuk mund ti largojë ato si normalisht. Sasia e tepërt e fosfatit mund të formojë depozitime kockore në inde dhe mund të shkaktojë grumbullimin e kalciumit në enët e gjakut. Lidhësit e fosfateve që merren me çdo vakt ulin përthithjen e fosfateve në aparatin tretës dhe reduktojnë sasinë e fosfateve në gjak.  

Medikamente për të mbajtur nën kontroll presionin e gjakut 
Veshkat janë të përfshira në kontrollimin e presionit të gjakut. Por, pacientët me SRK shpesh kanë nevojë për medikamente për ta kontrolluar atë. Presioni i lartë i gjakut përbën një faktor rreziku për sëmundje të zemrës dhe kërkon kontroll të kujdesshëm. Lajmi i mirë është se me fillimin e dializës, këto barna mund të mos nevojiten më në dozat që merreshin më parë ose mund të mos nevojiten më fare. 

Holluesit e gjakut (antikoagulantët) 
Nëse jeni duke kryer hemodializë, holluesit e gjakut do t’ju jepen në fillim por edhe gjatë trajtimit për të shmangur mpiksjen e gjakut në tuba dhe në dializues. 

Medikamente të tjera  
Personat me dializë mund të kenë edhe probleme të tjera shëndetësore përveç SRK-së për të cilat nevojiten barna. Këtu përfshihen medikamentet për sëmundjet e zemrës, diabetin mellitus, për hiperlipideminë (nivel i lartë i yndyrnave përtej normales, veçanërisht i kolesterolit), për depresionin, për problemet seksuale ose për dhimbjet.

Të jetuarit e një jete aktive

Mes gjithë këtyre problemeve shëndetësore, ruajtja e një mendësie pozitive mund të sjellë një ndryshim vërtet të madh në mënyrën se si ndiheni, dhe t’ju ndihmojë të ruani një cilësi të mirë jetese. Stafi klinik në Diaverum do të bëjë gjithçka mundet për t’ju ndihmuar të shijoni jetën sa më shumë të mundeni.

kidney-transplant-dancing.jpg

Vazhdimi i punës apo studimeve  
Nisja e dializës nuk nënkupton se do t’ju duhet të ndaloni së punuari nëse puna juaj nuk është tepër e vështirë. Gjithashtu do të keni mundësi edhe të vazhdoni shkollën apo kolegjin. Vazhdimi i jetës në këtë mënyrë do të jetë një shpërqendrim i nevojshëm. Shumica e punëdhënësve janë të kuptueshëm dhe të gjindshëm dhe do të bëjnë përshtatjet e nevojshme për t’ju mundësuar vazhdimin e punës.   

Të qëndruarit në formë  
Para se të zgjidhni një lloj specifik të ushtrimeve fizike, duhet të flisni me mjekun tuaj, por rregulli i përgjithshëm është kryerja e sa më shumë ushtrimeve që mund të kryeni pa vështirësi. Kjo përmirëson shëndetin dhe mirëqenien tuaj.  

Vazhdoni të drejtoni makinën 
Shumica e pacientëve të dializës mund të vazhdojnë të drejtojnë makinën, por kjo duhet verifikuar me mjekun tuaj. Gjatë dy muajve të parë të hemodializës këshillohet të mos të drejtoni makinën menjëherë pas trajtimit. Nëse drejtimi i një makine është pjesë e punës suaj, për shembull drejtimi i kamionit, taksisë, trenit apo autobusit, duhet të bisedoni me mjekun për të vendosur nëse mund të vazhdoni si zakonisht.  

Mos pini duhan  
Duhanpirja është e rrezikshme për këdo, dhe përbën një rrezik më shumë që duhet të mundoheni ta shmangni nëse jeni në dializë. Nëse po konsideroni mundësinë e një transplanti veshke, është edhe më e rëndësishme të mos pini duhan pasi do të sillte dëmtime të enëve tuaja të gjakut dhe do të ndikonte në suksesin veshkës së transplantuar.  

Pak alkool...  

…lejohet, për sa kohë kombinohet me sasinë e lëngjeve dhe dietës që ju lejohet. Për këshilla, pyetni stafin mjekësor të klinikës suaj.  

Bëni pushime  
Të gjithë duhet të kenë mundësinë të shijojnë pushimet, dhe ne ju ndihmojmë për ta mundësuar këtë. Bisedoni me ekipin e klinikës për këshilla rreth organizimit të pushimeve në mënyrën më të mirë të mundshme. Ata mund t’ju sugjerojnë ku mund të shkoni dhe si të kujdeseni për dializën kur të jeni larg. Me më shumë se 400 klinika Diaverum nëpër botë, programi ynë d.HOLIDAY ju ndihmon të udhëtoni të sigurt duke ditur se mund të merrni kujdesin e duhur nga ekspertët e veshkave edhe kur jeni larg shtëpisë.

Flisni me të tjerët për situatën tuaj

Secili shfaq reagime të ndryshme ndaj situatës së vet, si fizikisht ashtu dhe mendërisht. Ju mund të ndjeheni në ankth, në stres, apo të inatosur dhe të zemëruar për shkak të asaj që ju ka ndodhur dhe për shkak të trajtimit që po merrni. Është shumë e rëndësishme të gjeni persona me të cilët mund të flisni.  

Ekipi i klinikës  
Mjekët dhe infermierët në klinikën tuaj janë gjithmonë aty për t’ju ndihmuar. Bëjuni pyetje dhe diskutoni me ta rreth ndjenjave dhe problemeve tuaja. Ndani shqetësimet tuaja me ta. Shpesh, edhe me pak më tepër informacion mund të arrini të rregulloni gjendjen dhe ta keni më të lehtë të përballeni me shqetësimin. Gjithashtu, edhe bisedat me pacientët e tjerë në dializë mund t’ju vijnë në ndihmë, pasi ata kanë përvojën e tyre personale të asaj që po kaloni edhe ju. Mos i fshihni ndjenjat tuaja: ka shumë persona rreth jush që janë të gatshëm t’ju dëgjojnë dhe t’ju ndihmojnë. Duke i përfshirë edhe ata, do të filloni të keni mbështetjen që ju nevojitet.  

Tregohuni të hapur rreth situatës suaj  
Ndonjëherë mund të hasni vështirësi për të folur rreth asaj që po kaloni, edhe me personat më të afërt për ju, ose veçanërisht me ata. Por vazhdoni të përpiqeni. Do të ishte e dobishme nëse nxisni familjen dhe miqtë tuaj të ngushtë të mësojnë më shumë rreth SRK-së dhe rreth trajtimit tuaj në mënyrë që ta keni më të lehtë të bisedoni me ta rreth situatës suaj. Të gjithë do të kenë përfitim nga kjo. Pacienti nuk është personi i vetëm që përjeton efektet e SRK-së, dhe duke u treguar të hapur me familjen, të afërmit dhe me kolegët gjithçka do të jetë më e lehtë për të gjithë ju. Njohuria, mirëkuptimi dhe inkurajimi janë elementet thelbësore që do t’ju ndihmojnë të përballoni sa më mirë situatën tuaj. 

Përmbajtje të ngjashme

Insuficienca e veshkës
Dy nga faktorët më të zakonshëm që shkaktojnë insuficiencën e veshkës janë diabeti dhe presioni i lartë i gjakut.
A mund ta parandaloni SRK-në?
Sëmundja renale kronike është një çrregullim i rëndë që ka ardhur duke u shtuar në të gjithë botën.
Stadet e SRK-së
Sëmundja renle kronike, SRV, shfaqet kur vuani nga humbja e funksionit të veshkave me kalimin e kohës.