Jo të gjithë mund të jenë të përshtatshëm për një transplant veshke, por kjo është një mënyrë që mund t’ju lejojë të bëni një jetë më normale se sa mund të lejojnë ndërprerjet e përditshme të dializës.
Nëse vuani nga diabeti i tipit 1 dhe nga insuficienca e veshkës njëkohësisht, mund të jetë e realizueshme që të transplantohen si pankreasi ashtu edhe veshka, për të rikthyer funksionin e veshkës dhe për të trajtuar edhe diabetin. Mjeku juaj do të bëjë vlerësimet për të parë nëse një transplant i kombinuar i veshkës dhe pankreasit do të ishin të përshtatshme për ju.
A është transplanti i veshkës i duhuri për mua?
Transplanti i veshkës nuk është i përshtatshëm për të gjithë personat me insuficiencë të veshkës. Ju mund të keni edhe probleme të tjera shëndetësore që e bëjnë transplantin tepër të ndërlikuar apo të rrezikshëm. Gjithashtu, keni nevojë për dhurimin e një veshke që të përputhet sa më shumë të jetë e mundur me karakteristikat e ndryshme të trupit, për të maksimizuar suksesin afatgjatë të transplantit. Zakonisht, transplanti nga një dhurues i gjallë me lidhje gjaku me ju jep rezultatet më të mira.
Si me shumicën e procedurave mjekësore, edhe transplanti mbart shumë rreziqe të lidhura me të dhe do të duhet të kryeni shumë analiza për të parë nëse ai është një opsion i përshtatshëm për ju. Kjo do të përfshijë studimin e karakteristikave të sistemit tuaj imunitar së bashku me shëndetin fizik në përgjithësi.
Nëse transplanti është një opsion i mirë për ju, ekipi juaj mjekësor dhe specialistë të tjerë do t’ju ndihmojnë të kuptoni të gjitha detajet. Gjithashtu mund të jetë me dobi për ju nëse bisedoni me dikë që e ka kryer një transplant; nëse dëshironi, ekipi juaj mjekësor mund ta mundësojë diçka të tillë.
Kur jeni në listën e pritjes për transplant, do t’ju duhet të ndiqni disa rregulla të rrepta për dietën tuaj, medikamentet dhe stilin e përgjithshëm të jetesës. Gjithashtu jeni edhe më të rrezikuar ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve të tjera.
A do të ketë një veshkë për mua?
Veshkat për transplant mund të vijnë nga persona që kanë vdekur, ose nga dhurues të gjallë me lidhje gjaku me ju apo edhe nga persona pa lidhje gjaku të tillë si partnerët apo miqtë. Në disa shtete ato mund të vijnë edhe nga dhurues të panjohur që dëshirojnë të bëjnë këtë dhuratë altruiste.
Ka një mungesë të organeve për transplant, dhe mund t’ju duhet të prisni për muaj apo madje edhe për vite para kryerjes së një transplanti. Ekipi juaj mjekësor do t’ju japë të gjitha informacionet e nevojshme rreth rregullores dhe listës së pritjes në vendin ku jetoni.
A është transplanti operacion madhor?
Po, transplanti është operacion i konsiderueshëm. Zakonisht do t’ju duhet të qëndroni në spital për 4-7 ditë. Pas operacionit, do t’ju duhet të merrni medikamente për gjithë pjesën tjetër të jetës për të parandaluar refuzimin e veshkës. Gjithashtu do të monitoroheni nga ekipi mjekësor që do t’ju vizitojë rregullisht për kontrolle dhe analiza.