Për të realizuar një seancë hemodialize nevojitet një akses vaskular i cili bën të mundur kalimin e gjakut nga trupi juaj për në aparaturën e dializës ku gjaku filtrohet dhe nëpërmjet aksesit rikthehet përsëri në trup.
Akseset kryesore janë:
- Fistula arterio-venoze
- Grafti
- Kateteri arterio-veno
1. Fistula
krijohet nga bashkimi i dy enëve të gjakut. Nga ky bashkim krijohet një zhurmë e veçantë që quhet THRILL, i cili ndihet duke e prekur me dorë vendin ku është krijuar fistula.
Një fistul kërkon një kohë maturimi minimalisht prej 6 javësh, në mënyrë që të arrijë flukse gjaku të mjaftueshme për të kryer një seancë hemodialize.
Si të kujdesem për fistulën?
Fistula arterio-venoze konsiderohet si zgjedhja më e mirë për akses vaskular. Eshtë e rëndësishme të ruhet nga çdo rrezik dëmtimi. Duhet të tregoni kujdes!
- Çdo ditë verifikoni prezencën e trillit në fistul. Gjatë prekjes, do të ndjeni një dridhje. Nëse vini re që dridhja është shumë e dobët ose mungon, njoftoni menjëherë stafin mjekësor në klinikë.
- Mbani të pastër zonën përreth fistulës.
- Përpara seancës së hemodializës, lani krahun ku ndodhet fistula me ujë dhe sapun edhe pse infermieri do të kryejë procesin e dezinfektimit gjatë procedurës.
- Mos lejoni t’ ju marrin gjak apo t’ ju matin tensionin në krahun e aksesit.
- Nuk duhet të vishni rroba të ngushta apo të mbani bizhuteri në dorën ku keni aksesin sepse pengon rrjedhjen e gjakut.
- Mbroni aksesin nga goditjet dhe mos i peshoni krahut gjatë gjumit.
- Mos ngrini objekte të rënda me dorën ku keni fistulen.
- Nëse gjendja e lëkurës tek aksesi ka ndryshuar (keni dhimbje, skuqje, rrjedhje), njoftoni paraprakisht ekipin mjekësor.
- Pas përfundimit të seancës së dializës, do të vendosen ankeplaste sterile në vendet e shpimit, të cilat duhet të hiqen pasi të keni arritur në shtëpi.
- Mund të ndodhë që fistula të rifillojë të nxjerrë gjak nga pika e shpimit me age. Mos u trembni! Mbani të shtypur mbi ankeplast vendin e shpimit për 10 minuta. Nëse kjo situatë vazhdon, kërkoni ndihmën e stafit mjekësor.
2. Grafti
Grafti krijohet duke bashkuar me ndërhyrje kirurgjikale një arterie dhe një venë me një tub sintetik nën lëkurë. Grafti ka një kohë më të shkurtër maturimi krahasuar me fistulën. Kryesisht 2-3 javë
Si të kujdesem për graftin?
Kujdesi për graftin është gati i njëjtë me fistulën.
- Çdo ditë verifikoni prezencën e trillit në graft. Gjatë prekjes, do të ndjeni një dridhje. Nëse vini re që dridhja mungon, njoftoni personelin mjekësor të klinikës.
- Mbani të pastër zonën përreth graftit.
- Përpara seancës së hemodializës, lani krahun ku ndodhet grafti me ujë dhe sapun.
- Mos lejoni manipulime në krahun ku keni graftin.
- Nëse gjendja e lëkurës tek aksesi ka ndryshuar (keni dhimbje, skuqje, rrjedhje), njoftoni menjëherë ekipi mjekësor.
- Pas përfundimit të seancës së dializës, do të vendosen ankeplaste sterile në vendet e shpimit, të cilat duhet të hiqen pasi të keni arritur në shtëpi.
3. Kateteri arterio-venoz
Kateteri arterio-venoz është një tub plastik i butë kryesisht me dy lumene (ndarje) i cili vendoset në një venë me fluks të madh gjaku për të kryer në mënyrë efektive dializën. Gjaku tërhiqet nga dega arteriale dhe rikthehet nëpërmjet degës venoze.
Kateteri mund të vendoset kryesisht në këmbë (femoral), kraharor (subklavia), ose në qafë (jugular). Ai është gati për tu përdorur menjëherë pas vendosjes. Fluksi i gjakut është më i ulët se ai që përfitohet nga fistula.
Kateterët janë dy lloje: të tunelizuar dhe jo të tunelizuar.
Kateterët e tunelizuar janë afatgjatë, përdoren për mbi një vit. Ata tunelizohen nën lëkurë nga pika e fillimit të venës deri në një distancë të afërt. Zakonisht vendosen në venën jugulare të brendshme dhe dalin në murin e përparmë të gjoksit. Këto lloje kateterësh kanë një rrezik më të vogël infeksioni se kateterët e thjeshtë.
Kateterët jo të tunelizuar janë kateterë afat shkurtër, disa ditë deri në tre javë të cilët mund të vendosen në venën jugulare, subklavia apo në venat femorale.
Si të kujdesem për kateterin?
- Sigurohuni që kateteri të jetë i klemuar (i mbyllur) nëse nuk jeni gjatë procesit të dializës.
- Mbroni zonën e daljes së kateterit nga uji dhe papastërtitë. Mbajeni zonën të pastër, të thatë dhe të fashuar gjithmonë.
- Mos e hiqni në shtëpi garzën që mbulon daljen e kateterit.
- Infermieri i dializës do të pastrojë kateterin dhe do të ndërrojë garzën para çdo trajtimi dialize.
- Mos lejoni që kateterin ta përdorin për manipulime të tjera jashtë dializës (terapi etj.)
- Komunikoni menjëherë me stafin mjekësor në klinikë nëse keni temperaturë, skuqje apo ënjtje në zonën përreth kateterit.